
Avokati Sokol Tahiraj u shfaq para disa ditësh në SPAK me një karrocë supermarketi plot dosje voluminoze të klientit të tij, Safet Bajri, duke ngjallur dyshime në rrjetet sociale për fshehje provash të mundshme.
Tahiraj i ka mohuar këto akuza, në një prononcim për Euronews Albania, duke nënvziuar se nuk ka lidhje me klientin e tij, Safet Bajrin.
''Janë një sërë materialesh të marra nga Prokuroria e Posaçme, janë materiale ndër vite, procedime të vjetra, procedime të hapura të pushuara, vendime fillimi, vendime mosfillimi, ndarje procedimesh, bashkim procedimesh, por nisur nga forma dhe përmbajtja, nuk japin rezultat për hetimin. Ndaj do t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e tyre. Nuk ka prova që lidhen me klientin tim.'' është shprehur Tahiraj.
Rrënjët e Konfliktit
Përplasjet Bajri-Lici nisën në vitin 2000, kur Behar Bajri vrau efektivin e policisë Petrit Demiri në Dobraç të Shkodrës dhe u dënua vetëm me dy vjet burg.
Në 2001 u ekzekutua Arben Tuzi nga grupi Bajri, ndërsa Indrit Bajri u vra nga Ilmir Hajdari, Kujtim Barbullushi e Xhabir Shegaj, i cili u eliminua vetë në 2015 me snajper. Konflikti u ndez sërish në 2018 me shpërthimin telekomanduar ndaj Lulzim Kullës, të afërm me fisin Lici, që plagosi tetë persona.
Vrasjet e 2018-s
Në 18 qershor u vra Mehdi Kavaja si hakmarrje e dyshuar. Më pas, në korrik, ekzekutuan Boran Bërçanën (ish-polic me dyshime lidhjesh me Bajrin) dhe Silvin Ndoci, sipas autoriteteve nga fisi Lici.
Në 10 gusht vritet Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit, si hakmarrje e supozuar nga Bajrat.
Pak ditë më vonë u zhdukën Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, me dyshime lidhjesh me Licët, ndërsa më 1 shtator u vra Arjan Ferracaku pas komunikimi me Astrit Bilalin.
Dy muaj më pas ekzekutuan kushërin e tij, Fatos Ferracakun, dhe në mars 2019 Ferdinand Polian, me lidhje italiane.
Në shtator 2019 policia arrestoi 12 anëtarë të grupit Bajri në Shqipëri, Holandë, Belgjikë e Spanjë, duke përfshirë Astmer Bilalin.
Safet Bajri u lirua me kusht në 2023 nga burgu i Fierit pas dënimit belg për drogë, u shoqërua në 2024 për atentatin në Vaun e Dejës.
Ibrahim Lici u kap në Turqi më 14 shkurt 2024 për vrasjen e Endri Mustafës në 2021. /Versus.al

