Një nga figurat më të njohura të sistemit shëndetësor palestinez, Dr. Mohammed Abu Salmiya, ka përjetuar një tragjedi personale të thellë, ndërsa vijonte punën si drejtor i spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës.
Të premten, ai u largua nga shtëpia për të nisur turnin, pa e ditur se kjo do të ishte hera e fundit që do t’i shihte të gjallë disa prej më të afërmve të tij. Vetëm një ditë më vonë, trupat e gjashtë anëtarëve të familjes së tij mbërritën në spitalin që ai vetë drejtonte.
Sipas raportimit të CNN, shtëpia e familjes së Dr. Abu Salmiya në kampin e refugjatëve Al Shati, në perëndim të qytetit të Gazës, u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit, në një zonë ku jetonin bashkë disa breza të familjes.
“Kjo është shtëpia jonë familjare. Vëllai im, dy djemtë e tij, gruaja e nipit tim dhe dy nga fëmijët e tyre u martirizuan,” deklaroi ai me zërin e ngjirur nga dhimbja.
Përveç gjashtë viktimave, në sulm u plagosën edhe shtatë persona të tjerë, përfshirë motrën, mbesën dhe nipërit e tij.
CNN ka kontaktuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit për komente mbi objektivin e sulmeve.
Një video e ndarë nga Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Dr. Munir Al-Bursh, tregoi Abu Salmiya-n e pikëlluar të gjunjëzuar pranë trupave të anëtarëve të familjes së tij në spital, ende të veshur me uniformat e mjekut.
“Lutemi që Zoti t’i japë durim dhe forcë zemrës së tij dhe zemrave të familjes së tij”, tha Al-Bursh në një postim në rrjetet sociale.
Mbrojtja civile e Gazës tha se shpëtoi katër persona të plagosur dhe gjeti tre trupa në një shtëpi në zonën veriore të plazhit të Gazës.
Sulmi i fundit vjen ndërsa protestat globale intensifikohen për shkak të përpjekjeve të Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës. Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga qyteti, ku Izraeli ka shembur ndërtesa të larta.
Më shumë se 65,200 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori 2023, sipas shifrave të fundit nga ministria palestineze e shëndetësisë.
Kombet e Bashkuara dhe të tjerë kanë paralajmëruar se sulmi do të përkeqësojë një krizë humanitare tashmë të tmerrshme, me pjesë të Gazës të shpallura zyrtarisht në gjendje urie .
Këtë javë, një hetim i pavarur i Kombeve të Bashkuara arriti në përfundimin për herë të parë se Izraeli ka kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, gjë që Izraeli e mohon me vendosmëri.







