POLITIKË /

“Do kesh fatin e Salianjit ose Vis Martinajt”, Bardhi i përgjigjet Sokol Ballës: Leh për llogari të Ramës!

Monologu i Ballës për Bardhin dukej më shumë si një lloj kërcënimi ndaj këtij të fundit.

Shkruar nga Versus
“Do kesh fatin e Salianjit ose Vis Martinajt”, Bardhi i
Gazment Bardhi dhe gazetari Sokol Balla

Ditën e djeshme, SPAK konfirmoi se bisedat në të cilat përmendet emri i Gazment Bardhit mes Ervis Martinajt dhe krahut të tij të djathtë Erigers Mihasit, janë të sajuara dhe nuk ka përgjime të tilla në “Sky Ecc”.

Mbi këtë sqarim të SPAK-ut ka pasur reagime të shumta, një ndër to edhe gazetari Sokol Balla i cili me anë të një monologu gjatë emisionit të tij, tha se me këtë përfundim Prokuroria e Posaçme e ka këshilluar Gazment Bardhin që të mos nxitohet për të publikuar informacione të pavërteta, kur në fakt vetë Bardhi i kishte cilësuar si të tilla dhe si ‘shantazh’ ndaj tij.

“Gazment Bardhit po i shtohen çështjet që lidhen me drejtësinë edhe SPAK sot e paralajmëroi, e njoftoi se mesazhet që e lidhin me Vis Martinajn ishin të sajuara, por duke e këshilluar që herë tjetër të mos nxitohet ai dhe të tjerët për të publikuar materiale të paverifikuara. Ndoshta një paralajmërim që ai të mos thellohet në gabimet e Salianjit, pasi karma të rikthehet herë në formën e Vinit, herë në formën e Visit dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur”, nënvizoi Sokol Balla në një formë ‘kërcënimi’ për Bardhin.

Lidhur me këtë monolog të Ballës, ka ardhur edhe reagimi i kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi i cili duke ripublikuar videon e gazetarit, i tha këtij të fundit se përkundër kërcënimit të tij, do të vazhdojë të thellohet në denoncimet e bëra.

“Familja ime, bashkëpunëtorë dhe miq të mi, më nisën të shqetësuar një video (video më poshtë – pjesë e shkëputur nga editoriali hyrës i emisionit tënd) ku më “këshilloje” që të mos thellohem në denoncime pasi karma të kthehet herë në formën e Vinit (në burg) e herë në formën e Visit (i zhdukur dhe i dyshuar se është vrarë), dhe në çdo rast fundi nuk është i lumtur.

Të falënderoj shumë për “këshillën”, por më lejo të të informoj ty dhe përmes teje Edi Ramën, se unë kam vendosur t'i shërbej interesit publik, pra do të THELLOHEM në denoncime! Por si gjithmonë, me fakte e prova!

Fati i keq i Edi Ramës dhe kujtdo që leh për llogari të pushtetit të tij është që kurrë nuk ka ndodhur që denoncimet e mija me fakte e prova të kenë rezultuar të pavërteta. Propaganda i ka sulmuar për disa ditë, por nuk e ka mbuluar dot kurrë të VËRTETËN!  Prandaj, rri i qetë dhe mos u shqetëso për fundin tim! Ndërkohë, fillo e shqetësohu seriozisht për fundin e Edi Ramës dhe të kujtdo që leh çdo ditë për llogari të pushtetit të tij!’- shkruan Bardhi.

Ky i fundit dje tha se SPAK duhet të zbardhë burimin e mesazheve të sajuara ku përmendet emri i tij pasi është dëmtuar edhe reputacioni i Prokurorisë së Posaçme pasi personi që i ka dërguar “Mbreti Zog” pretendonte se bëhej fjalë për përgjime që SPAK i ka zbardhur nga zbërthimi i aplikacionit “Sky Ecc”. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: