
Prindërit e 14 vjeçarit M.C i cili u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij M.C, u kanë dërguar një letër institucioneve kryesore të vendit dhe ambasadës së SHBA.
Në letrën e drejtuar ndaj kreut të opozitës, kryeministrit, presidentit si dhe ambasadës amerikane, familjarët e të miturit të ndjerë pretendojnë se ngjarja e rëndë nuk po zbardhet qëllimisht.
“Po na vrasin edhe neve si prindër”- shprehen ata mes të tjerash duke e cilësuar si ‘të pabesueshëm’ faktin që sipas tyre po bëhen tentativa për ta tjetërsuar krimin duke shpëtuar fajtorët.
Një lutje e veçantë i drejtohet të Ngarkuarës me Punë të SHBA, Nancy VanHorn të cilës i kërkojnë të ndihmojë duke ndjekur çështjen për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të krimit që tronditi të gjithë vendin.
Letra e plotë:
Ne që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit djaloshit 14-vjeçar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurt në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.
Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që na shkaktuan humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllanë e Martinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe. E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët janë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.
Zonja Nancy!
Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.
Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.
Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.
Kam besim të Ju.
Me respekt e dhimbje në Shpirt
Angel e Florina Cani
Ekspertiza e dalë, provoi se autori me thikën e tij goditi edhe viktimën M.C edhe shokun e tij L.M i cili mbeti i plagosur. Sot avokatët e të miturit të arrestuar M.P, kanë dorëzuar në gjykatë apelimin kundër masës së sigurisë ‘arrest me burg’ duke kërkuar një masë më të lehtë për autorin e ngjarjes. Versus.al








