Një shtetase shqiptare, 22 vjeçe, është arrestuar nga policia greke në portin e Rodosit, pasi u kap me një sasi të konsiderueshme lënde narkotike dhe armë zjarri në bagazhin e saj. E reja kishte mbërritur me traget nga porti i Pireut dhe u ndalua menjëherë pas zbritjes, në kuadër të një kontrolli rutinë nga autoritetet portuale.
Sipas mediave greke, gjatë kontrollit të bagazhit të saj, oficerët gjetën dhe sekuestruan 2.248 gramë kokainë, të fshehura në mënyrë të kujdesshme brenda valixhes që ajo mbante me vete. Përveç lëndës narkotike, policia gjeti gjithashtu një pistoletë 9 mm, 49 fishekë si dhe 1.300 euro para cash, të cilat dyshohen se janë të lidhura me aktivitetin kriminal.
E reja shqiptare nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit dhe ndodhet aktualisht në paraburgim, në pritje të paraqitjes së saj përpara Prokurorisë së Rodosit. Burime nga policia bëjnë me dije se ndaj saj do të ngrihen zyrtarisht akuzat për trafik të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Dyshimet kryesore janë se 22-vjeçarja është pjesë e një rrjeti të organizuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërsa pritet të hetohet edhe itinerari i plotë i transportit të kokainës, që sipas informacioneve paraprake kishte si destinacion final ishullin turistik të Rodosit.
Policia greke po bashkëpunon me partnerët ndërkombëtarë për të zbuluar nëse pas këtij rasti fshihen persona apo struktura më të mëdha kriminale, ndërsa priten zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim. /Versus.al







