
Sekretari i Përgjithshëm dhe njëkohësisht deputet i PD, Flamur Noka është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Menjëherë pas tij është parë edhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja i cili do të jetë deputet i PD në legjislaturën e ardhshme pasi doli më i votuari në listën e hapur të qarkut gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Kjo është hera e dytë që Noka paraqitet në SPAK pasi më herët është paraqitur edhe në mars të 2023-it. Ende nuk dihen detaje mbi thirrjen e tij. Arjan Ndoja mësohet se është paraqitur në Gjykatën e Posaçme.
Ndërkohë për ish-prokurorin, ka një kallëzim të bërë prej Lulzim Bashës ku pretendohej për presion ndaj zgjedhësve për zgjedhjet e 11 majit. Emri i Ndojës është i njohur për publikun pasi ishte objektivi i atentatit me armë zjarri që iu në në Durrës në 2019-ën ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku. Për ngjarjen është dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rraja që dyshohet si organizator. Ndërsa po gjykohen aktualisht ish-anëtarët e bandës së Durrësit, Plarent Dervishi i dyshuar si porositës dhe Julian Meçe i dyshuar si një prej autorëve. Versus.al







