Senati italian ka miratuar të martën, 20 maj, dekretin e njohur si “Dekreti Shqipëria”, i cili ishte miratuar më 15 maj nga Dhoma e Deputetëve me votëbesimin e vendosur nga qeveria.
Qëllimi i këtij dekreti është mbrojtja e skemës së transferimit të emigrantëve drejt Shqipërisë nga ndërhyrjet e gjyqësorit.
Zgjerim i kategorive të migrantëve që mund të transferohen
Masa e re zgjeron kategorinë e të huajve që mund të transferohen në Shqipëri, duke përfshirë personat që tashmë ndodhen në qendrat italiane të qëndrimit për dëbim dhe që janë subjekt i një urdhri dëbimi. Kjo përfshin gjithashtu edhe ata për të cilët janë lëshuar vendime të konfirmuara ose të zgjatura për ndalim.
Neni 1 i Dekretit Ligjor nr. 37/2025, që ndërhyn në ligjin nr. 14/2024 – i cili ratifikon protokollin mes Italisë dhe Shqipërisë të nënshkruar më 6 nëntor 2023 – lejon riaktivizimin e operacionit.
Kjo ndodh pas pezullimit të mëparshëm të transferimeve nga gjykatat, për migrantët e shpëtuar në ujërat ndërkombëtare dhe që vijnë nga të ashtuquajturat "vende të sigurta".
Për këta migrantë, fillimisht mund të zbatoheshin vetëm procedurat e përshpejtuara të përpunimit në Shqipëri, por gjyqtarët italianë kishin pezulluar konfirmimin e ndalimeve duke pritur vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi ligjshmërinë e listës së vendeve të sigurta të përpiluar nga Italia.
Ndryshimet e bëra në Dhomën e Deputetëve
Në Komisionin për Çështjet Kushtetuese të Dhomës së Deputetëve u miratua një paketë prej tre amendamentesh të paraqitura nga raportuesja Sara Kelany (Fratelli d’Italia), me të cilat qeveria italiane dhe shumica parlamentare synojnë të "blindojnë" skemën e transferimit të migrantëve në Shqipëri nga ndërhyrjet e gjykatave.
Ky hap erdhi si reagim ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit në Romë, e cila kishte refuzuar të konfirmonte ndalimin e 18 migrantëve që ishin transferuar në prill në qendrën e Gjaderit në Shqipëri, duke i rikthyer ata në Itali. Arsyeja? Këta persona kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare sapo mbërritën në Shqipëri dhe, sipas gjyqtarëve italianë, nuk i përkisnin kategorisë së migrantëve që kishin të drejtë të qëndronin në Gjader për të ndjekur procedurat e azilit.
Asist nga Gjykata e Kasacionit
Ndërkohë, një zhvillim i rëndësishëm në mbështetje të dekretit ka ardhur nga vendimi nr. 17510 i Seksionit të Parë Penal të Gjykatës së Kasacionit (siç raporton “Il Sole 24 Ore” më 10 maj). Kjo gjykatë ka vendosur një parim të qartë ligjor: është i ligjshëm ndalimi i një të huaji në qendrën e qëndrimit për dëbim në Gjader (Shqipëri), edhe pasi ai të ketë paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.
Sipas këtij vendimi, struktura në Gjader konsiderohet e barabartë me qendrat italiane, dhe si rrjedhojë, procedurat e azilit mund të kryhen aty pa qenë e nevojshme që migranti të rikthehet në Itali. Ky interpretim përforcon pozicionin e qeverisë italiane dhe dobëson argumentet e gjyqtarëve që kishin kundërshtuar transferimet.
Rruga për të kapërcyer refuzimin e konfirmimit nga gjykata
Në të njëjtën linjë me vendimin e Gjykatës së Kasacionit janë edhe ndryshimet në dekretin e miratuar në komision. Ato parashikojnë që i huaji i transferuar në Gjader të qëndrojë aty, siç përcaktohet në nenin 6, paragrafi 3 i Dekretit Legjislativ 142/2015, nëse ka arsye të bazuara për të besuar se kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare është bërë vetëm për të vonuar ose penguar ekzekutimin e dëbimit ose refuzimit.
Ky ndryshim synon të mbyllë hapësirat që më parë u lejonin gjyqtarëve italianë të refuzonin qëndrimin e migrantëve në Shqipëri në rastet kur këta paraqisnin kërkesa për azil menjëherë pas mbërritjes në territorin shqiptar.
Dy anije patrullimi dhuratë për Shqipërinë
Me hyrjen në fuqi të nenit të ri (komma 1), qeveria italiane autorizohet të dhurojë për Shqipërinë dy motovedeta të klasës 400 "Cavalieri", aktualisht jashtë përdorimit nga Garda Bregdetare italiane. Këto mjete detare do të fshihen nga regjistrat inventarialë dhe nga listat e flotës ushtarake të shtetit.
Kompetenca të reja për Drejtorinë e Imigracionit në Ministrinë e Brendshme
Me ndryshimet në komën 2, ndryshohet procedura e ndalimit të migrantëve në qendrat e qëndrimit për riatdhesim (Cpr). Më parë, ndalimi duhej të bëhej në qendrën më të afërt dhe duhej të miratohej nga gjyqtari i paqes brenda 48 orëve. Tani, me amendamentin e raportueses, Drejtoria Qendrore e Imigracionit në Ministrinë e Brendshme mund të urdhërojë transferimin e migrantit në një tjetër qendër, pa qenë e detyruar të japë një arsye dhe pa kërkuar miratim të ri nga gjyqtari i paqes – një pikë që ekspertët e Dhomës dhe Senatit kanë kërkuar të analizohet më thellë./Versus.al







