
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas komunikimit zyrtar të akuzave nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke e quajtur procesin një hetim të fabrikuar që prej dhjetorit të vitit 2019.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta deklaron se nga takimi i fundit më 27 maj me prokurorët nuk kishte asnjë të re thelbësore dhe se mbrojtja ka ngritur zyrtarisht dy kërkesa kyçe: të hetohet se kush ka kryer pagesat e paligjshme në emër të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe se kujt i janë dërguar për miratim faturat nga kompania GSIS në Partinë e Lirisë.
Sipas Metës, mosveprimi i SPAK në këto drejtime është pasojë e presionit politik dhe jo e pamundësisë ligjore apo profesionale. Ai theksoi se këto hetime duhet të ishin kryer prej dy vitesh, duke lënë të kuptohet se procesi është i njëanshëm dhe me prapavijë politike.
Statusi i plotë i Ilir Metës:
Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019.
Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.
Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.
Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh./Versus.al







