Detaje të reja janë mësuar sa u takon hetimeve për tritolin që shpërtheu në lokalin “Perla e Detit” në Kamëz me pronar Saimir Sinën, por qiramarrës dy kunetër.
Disa ditë para se të ndodhte ngjarja, njëri prej të arrestuarve, Florin Domi i cili ka një biznes pranë lokalit, ka thirur pronarin Saimir Sina duke i thënë “po të kërkon Jeton Lami”. Sina ka shkuar në takim, ndërsa Lami e ka pyetur pse vijonte t’i kundërshtonte. Nga ana tjetër Sina i është përgjigjur duke u thënë se nuk i njeh fare.
Me të dëgjuar këtë, Jeton Lami iu kthye “meqë nuk na njeh, do na japësh 500 mijë euro ose ke për ta parë çfarë do të ndodhë”.
Pavarësisht kërcënimeve, Saimir Sina ka kundërshtuar duke u thënë se nuk do t’u jepte asnjë lekë dhe pak ditë pas kësaj përplasje është larguar drejt Italisë ku edhe jeton. Ndërkohë, i arrestuari tjetër për ngjarjen, Flogert Mzhika ka shkuar dhe ka takuar dy kunetërit që e kishin marrë me qira biznesin ku u ka thënë se nuk do t'a gëzojnë dot.
Jeton Lami u la në arrest shtëpie, Florin Domi në ‘detyrim paraqitje’, Flogert Mzhika në burg, ndërsa në kërkim për gjobëvënien dhe tritolin e vendosur është Ervis Lami, njëri prej personave nën hetim për vrasjen e postierit Lulzim Visha në Kamëz.
Kujtojmë se Jeton Lami është ish-efektiv i forcave Operacionale dhe personi i fundit që ka patur kontakt me biznesmenin e zhdukur Ervis Martinaj, për të cilin nuk ka asnjë lajm që prej gushtit të vitit 2022. Versus.al

