Sot në orën 09:00 në hollin e pallatit të Kongreseve nisin homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u vra gjakftohtësisht dy ditë më parë me armë zjarri në sallën e gjyqit ku sapo kishte dhënë vendimin.
Ngjarja e rëndë nxorri në pah të metat e mëdha sa i takon sigurisë së munguar në sistemin gjyqësor pasi gjykata e Apelit ku ndodhi ngjarja ruhej vetëm nga një truprojë e trupës “Ilyrian Guard”, kompani shtetërore.
Homazhet pritet të përfundojnë rreth orës 11:00, ndërsa miq, familjarë, kolegë dhe figura shtetërore pritet të nderojnë gjyqtarin e ekzekutuar nga 30 vjeçari Elvis Shkambi për çështje pronash. Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, Astrit Kalaja do të dërgohet në qytetin e lindjes në Shkodër ku do të bëhet varrimi i tij.
Ditën e djeshme pamjet e publikuara treguan sesi autori Elvis Shkambi pasi kishte kryer krimin e rëndë, kishte dorëzuar armën në korridorin e gjykatës dhe po priste në oborr mbërritjen e policisë për t’i sinjalizuar që ai ishte autori i vrasjes. Shkambi ishte nipi i Gjon Shkambit, i cili ishte palë në gjyqin që zhvillohej për një pronë të cilën ata e pretendonin prej shumë vitesh, për të cilën kishin dalë edhe nëpër deklarata mediatike duke kërkuar zgjidhje. Si pasojë e të shtënave brenda sallës së gjykatës, të plagosur mbetën edhe Ragip e Ervis Kurtaj, babë e bir, pala tjetër në gjyqin për pronën. Versus.al







