Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit Klement Zguro, i njohur edhe me mbiemrin Kaçolli, i dënuar më parë me 11 vite burg për veprat penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas njoftimit zyrtar, Zguros i kanë mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 11 muaj burgim, ndërsa arrestimi i tij është bërë në kuadër të operacionit për kapjen e personave në kërkim dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Në vitin 2018, ai u përfshi në një listë të personave më të kërkuar nga INTERPOL për qarkun e Korçës, për shkak të dënimit të tij për vrasje.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “END”.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 3, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.
Kapet 43-vjeçari i dënuar me 11 vite burg, për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Në vijim të punës për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes së një personi të shpallur në kërkim për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “END”, si rezultat i të cilit u bë kapja, në rrugën “Mikel Maruli”, e shtetasit në kërkim Klement Zguro (Kaçolli), 43 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit Korçë e ka dënuar këtë shtetas me 11 vite burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. 43-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 8 vite e 11 muaj burgim.
43-vjeçari iu dorëzua DVP Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.







