Viti 2024 ka qenë shumë i vrullshëm sa i takon veprimtarisë së organeve të drejtësisë së re, Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për ndëshkimin e politikanëve apo zyrtarëve të lartë publikë të cilët perceptoheshin si ‘të paprekshëm’.
Pavarësisht se gjatë këtyre 5 viteve të ekzistencës si institucion, SPAK ka bilancin më të lartë në fushën e ndëshkimit të krimit të organizuar me goditjen e grupeve shqiptare që veprojnë edhe ndërkombëtarisht, sërish ka pasur një numër të lartë zyrtarësh apo politikanësh të marrë nën hetim, të proceduar penalisht apo të arrestuar në të dyja kahet e politikës shqiptare.
Arrestimi i parë i një zyrtari të njohur publik gjatë këtij viti, ishte ai i Jorgo Goros më 23 mars i cili asokohe ishte kryebashkiak në detyrë i Himarës për shkak të ngërçit të krijuar si pasojë e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri. Ndaj Jorgos rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet se ka tjetërsuar pronat në Dhërmi në 2 raste të ndryshme. Jorgo Goros iu vunë prangat sapo doli nga një lokal ku po pinte kafe pasditen e së shtunës.

Në të dyja rastet ku Goro është përfshirë në shpërdorim detyre duke tjetërsuar pronat, përfitues ka rezultuar ish-deputeti i PS Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçkës, ndaj të cilit nuk është marrë asnjë lloj mase apo hetimi. Më 15 nëntor dosja e Goros i cili ishte denoncuar më herët nga Fredi Beleri, kaloi për gjykim dhe u shtua akuza e mosdeklarimit të pasurisë gjatë kohës kur kishte qenë kryebashkiak. Ish-kryebashkiaku ka kërkuar gjykim të shkurtuar.
Goditja e skemës kriminale të drejtorëve në bashkinë e Tiranës
Radhën e pati bashkia e Tiranës ku SPAK zhvilloi një ‘ofensivë’ ndaj ish-drejtorëve e zyrtarëve të përfshirë në aferat e ‘gllabërimit’ të fondeve publike. Në pranga ranë Mariglen Qato, ish-drejtor i Shërbimeve Mbështetëse pranë UKT-së Tiranë, Redjan Molla, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, dhe Taulant Tusha për të cilin u lëshua tjetër urdhër arresti pasi rezultonte në burg për inceneratorin e Tiranës. Ndërsa ndaj 5 drejtorëve të tjerë dhe një zyrtari u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.

Ish-drejtorët e akuzuar akuzohen për disa vepra penale si korrupsion pasiv i zyrtarëve publikë, shkelje e barazisë në tendera dhe fshehje e pasurisë. Redjan Molla dhe Mariglen Qato ishin pronarë ‘de facto’ të kompanisë ‘5D construction’ e cila vazhdimisht fitonte tendera në bashki pa plotësuar asnjë prej kushteve të caktuara, ndërsa dy ish-drejtorët kishin përdorur persona të tjerë duke i paraqitur këta të fundit si pronarë ‘de facto’. Nga data e themelimit në 2016-ën deri në 2022-in, kjo kompani ka regjistruar 22 milionë euro të ardhura.
Në njoftimin e dhënë SPAK ngrinte akuza se Redjan Molla përgjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” dhe Mariglen Qato gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera. Të dy mohuan akuzat e bëra drejt tyre duke pretenduar se SPAK kishte rënë pre e presionit politik nga opozita. Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj shpejtoi për t’u distancuar me argumentin se faji dhe përgjegjësia është individuale.
Zbulimi i kësaj skeme dhe arrestimet e ish-drejtorëve shënuan nisjen e protestave të përjavshme të opozitës para bashkisë Tiranë duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt. Protestat vijojnë edhe kur kanë kaluar mbi 8 muaj nga publikimi i rastit të njohur si ‘afera 5D’.
Sipas kronologjisë së arrestimeve, një tjetër arrestim i madh ishte edhe ai i ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili që prej vitit 2023 ishte nën masën ‘detyrim paraqitje’ për koncesionin e Sterilizimit ku tashmë akuzohet për shpërdorim detyre me pasoja të rënda dhe grup të strukturuar kriminal. Mëngjesin e 4 korrikut, Beqaj u arrestua në shtëpinë e tij nën akuzën e përvetësimin e fondeve të Bashkimit Europian gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të SASPAC (Agjencia e menaxhimit të fondeve të huaja). Sipas SPAK, ish-ministri në bashkëpunim me zyrtarë të institucionit kishte lëshuar fatura fiktive për shpenzime të pakryera nga institucioni me qëllim që paratë t’i merrte cash nga pronarët e subjekteve.

Ashtu siç pritej, edhe Beqaj pretendoi pafajësinë duke u shprehur se po kërkohej ‘një kokë turku’ dhe se SPAK kërkonte t’i faturonte atij dështimin në ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar. SPAK e kaloi për gjykim dosjen e aferës së ‘Sterilizimit’, ndërsa dy ditë më parë ish-ministrit, zëvendësit të tij dhe biznesmenit të arrestuar iu shtua akuza e grupit të strukturuar kriminal.
Një tjetër rast i goditjes së SPAK tek të majtët është arrestimi i deputetit Jurgis Çyrbja. Socialisti dorëzoi mandatin 2 ditë pasi u paraqit në SPAK dhe para mediave gënjeu pa asnjë problem duke thënë se po e linte mandatin për arsye shëndetësore. Gënjeshtra e tij doli në pah shumë shpejt pasi SPAK e mori të pandehur dhe vetëm një ditë më pas, më 20 tetor agjentët e Operacionales e arrestuan në Durrës.
Lidhjet me krimin e organizuar
Detajet e siguruara nga mediat, zbuluan fakte tronditëse sa i takon komunikimeve të deputetit Çyrbja me njerëz të krimit të organizuar të cilët i ndihmonte t’i shpëtonin policisë në operacione të ndryshme. Si anëtar i komisionit të Sigurisë deputeti siguronte informacione në kohë reale mbi personat e shpallur në kërkim. Një detaj tronditës është edhe strehimi që Çyrbja kishte bërë për kreun e klanit ‘Hajri’, Altin Hajrin e shpallur në kërkim prej janarit të 2020-ës nën akuzën e vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Krimi në zgjedhje në favor të PS
Dosja zbuloi gjithashtu se Altin Hajri me elementë të tjerë kriminalë kishin ndikuar që Jurgis Çyrbja të renditej në listën e kandidatëve për deputet të PS në qarkun e Durrësit. Më pas kanë ndikuar për sigurimin e votave duke bërë të mundur që Çyrbja të fitonte mandatin e tij. Për të sqaruar se kush ka bërë listën e kandidatëve të PS për qarkun e Durrësit, u thirr në SPAK ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe dy ditë pas tij u thirr edhe Ardian Çela ish-drejtor i OSHEE dhe ish-drejtues politik në qytetin bregdetar.
Faktet e bëra publike nga dosja e Çyrbjas tronditën gjithë opinionin publik, por ende pa u mbushur 24 orë nga arrestimi i ish-deputetit, radhën e pati ish-presidenti Ilir Meta të cilit iu vunë prangat në një mënyrë të paprecedentë. Në mes të ditës teksa kthehej nga Kosova, grupi i Operacionales e bllokoi në hyrje të Tiranës ku më pas kryen arrestimin e tij duke mos shmangur as përdorimin e dhunës fizike.
Arrestimi i Metës ‘shkundi’ skenën politike duke tronditur mitin e paprekshmërisë së tij. Ndër reagimet e bëra, shumë u përqendruan tek mënyra e arrestimit duke e cilësuar si tepër denigruese për një person si Ilir Meta që ka mbajtur postet më të larta të shtetit.

Dy ditë pas arrestimit të Metës, në seancën gjyqësore për masat e sigurisë ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi, kreu i Partisë së Lirisë u përplas ashpër me kreun e SPAK Altin Dumanin duke e paralajmëruar këtë të fundit. Ndaj Metës dhe Kryemadhit SPAK ka renditur tre akuza për vepra penale si: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Dy deputetë të pandehur
Plarent Ndreca i PS dhe Asllan Dogjani i PD janë dy deputetët të cilët aktualisht janë marrë të pandehur nga SPAK. Ndreca akuzohet për shkelje të barazisë në tenderat për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që ka qenë sekretar i Ministrisë së Brendshme, ndërsa Dogjani akuzohet për mosdeklarim pasurie.
Sali Berisha i lirë pas mbi një viti nën arrest shtëpiak
Kryetari i Partisë Demokratike u lirua nga masa e sigurisë ‘’arrest shtëpie’’ më 27 nëntor pasi gjyqtarja Flojera Davidhi pranoi ankimimin e avokatëve të tij me argumentin se një masë e tillë nuk është e nevojshme duke qenë se hetimet për aferën ‘’Partizani’’ janë mbyllur dhe çështja ka kaluar për gjykim. SPAK e ankimoi lirimin e ish-kryeministrit, ndërsa vetë Berisha falenderoi gjyqtaren e cila sipas tij vetëm sa zbatoi ligjin.
Veliaj nën ‘lupën’ e SPAK

Kur dukej se viti po mbyllej me bilancin e mësipërm të punës së SPAK dhe GJKKO, u mësua se edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është nën vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme pas disa denoncimeve të bëra ndaj tij. Më 6 dhjetor, agjentët e BKH zbarkuan në banesën e Veliajt ku gjetën bashkëshorten e tij Ajola Xoxën pasi kryebashkiaku ndodhej për vizitë në Gjermani. Xoxës iu sekuestrua telefoni dhe kontrolle u bënë edhe në kompaninë e saj ‘Harabeli’ ku raportohet se u sekuestruan shuma të mëdha parash. Veprime u ndërmorën edhe ndaj Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të cilit po ashtu iu sekuestrua celulari dhe në kompaninë e tij ‘Gogël’ u zhvilluan kontrolle. Arbër Veliaj e bleu kompaninë në 2011-ën për 1 mijë euro dhe më pas ndër vite të ardhurat e kompanisë u rritën me ritme të shpejta duke arritur deri në shuma miliona euro. Sa i takon Ajola Xoxës, sipas raportimeve në media, mësohet se bashkëshortja e kryebashkiakut me kompaninë e saj "Harabel" ka marrë financime nga OJQ që financohen nga bashkia e Tiranës. Për vitin 2023 znj.Xoxa deklaroi një pasuri në llogari bankare në vlerën 617 mijë euro, ku 97 mijë euro janë shtuar vetëm gjatë vitit të shkuar dhe burimi ka qënë puna e saj në 2 kompanitë private që zotëron dhe pagesat si kuratore nga Harabel dhe Balkan Youth Albania.
Më 26 dhjetor, kryebashkiaku Veliaj u paraqit për herë të dytë në SPAK me kërkesë të prokurorit të Posaçëm Olsi Dado. Raportohet se marrja në pyetje e tij është zhvilluar lidhur me hetimin pasuror të nisur kundrejt kryebashkiakut.
Për çfarë hetohet i cilësuari si ‘pasardhës’ i Ramës në krye të PS?
Vetë Veliaj reagoi për kontrollet e SPAK duke bërë me dije se ndaj tij po bëhej një hetim pasuror. Duke u përpjekur që ta zvogëlonte rastin ndaj tij, kryebashkiaku u shpreh se e mirëpret një hetim të tillë. Por ndryshe raportoi gazetarja Klodiana Lala e cila në emisionin ‘Opinion’ tha se Veliaj po hetohet për korrupsion dhe se emri i tij shfaqet në disa afera korruptive. Hetimet e ndjekura nga prokurori i Posaçëm Olsi Dado vijojnë dhe në vazhdim priten zhvillme të reja.
Në dyert e SPAK-ut kanë kaluar dhjetëra personazhe publikë, ndërsa nuk shpëtoi pa dhënë llogari as Belind Këlliçi, ish-kandidati për bashkinë e Tiranës, ndaj të cilit ishte bërë një denoncim për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme. Këlliçi u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë me Veliajn ndaj të cilit ka bërë denoncime të vazhdueshme. Para gazetarëve, një prej eksponentëve kryesorë të PD deklaroi se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe se arsimi ishte arma e tij më e fortë.
5 vjetori i SPAK
Në ceremoninë e mbajtur për 5 vjetorin e themelimit të SPAK, kreu i institucionit Altin Dumani tha se deri më tani është treguar se asnjë zyrtar apo ish-zyrtar i lartë nuk është i paprekshëm dhe se kushdo që shkel ligjin do të mbajë përgjegjësi. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të BE e SHBA të cilën bënë thirrje që prokurorëve të SPAK t’u jepet e drejta e kandidimit edhe njëherë tjetër për të qenë pjesë e kësaj strukture të posaçme antikorrupsion.
Një gjë e tillë nuk mbështetet nga Sali Berisha dhe të tijët, të cilët pretendojnë se SPAK nuk po vepron ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama pavarësisht skandaleve të publikuara rreth qeverisjes së socialistëve. Në publik SPAK shihet si një faktor shpresëdhënës sidomos me bilancin e zyrtarëve e ish-zyrtarëve të ndëshkuar gjatë këtij viti, megjithatë mbetet për t’u parë nëse do të vijohet me të njëjtin ritëm gjatë vitit të ardhshëm. Versus.al








