Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga avokati i Mario Përlleshajt, 14 vjeçarit të arrestuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani nëntorin e vitit 2024.
“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim – i mituri në konflikt me ligjin M. P., kundër vendimit nr. 30-2024-9430/2949, datë 17.12.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”- njofton gjykata.
Autori i krimit që tronditi vendin, mbahet në institutin e të miturve në Kavajë nga ku kërkoi masë më të butë sigurie. Pak ditë më parë, gjykata e Tiranës kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Mario Përlleshajt teksa i refuzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar, e cila në rast se shpallej fajtor, do t’i ulte 1/3 e masës së dënimit.
Familjarët e viktimës kërkuan drejtësi dhe transparencë nga gjykata, ndërsa më herët kanë bërë akuza për zvarritje të procesit hetimor. Versus.al








