
Pesë persona dyshohet se kanë përfshirë për të kryer ekzekutimin e 29 vjeçarit Ermir Dedja, 2 javë më parë në lagjen nr.18 të Durrësit.
Policia ka arrestuar deri më tani 2 persona të cilët dyshohet se kontrabanduan në Shqipëri 2 makina tip “Seat” njëra prej të cilave u përdor nga autorët që ekzekutuan të riun, i cili njihej si pjesë e grupit të Avdylajve të Shijakut.
Në pranga kanë rënë Erion Ndoni dhe Klodian Berisha të cilët akuzohen për veprën penale “kontrabanda me mallra të tjera”.

Ndërsa u shpall në kërkim Xhuljano Dyrmishi i cili dyshohet se ka qenë personi që e ka blerë makinën për t’u vënë në dispozicion vrasësve të Ermir Dedjas.
"Në vijim të veprimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit E. D., 2 javë më parë, në lagjen nr.18, në Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi:
-u ndaluan shtetasit E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durres, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
-u shpall në kërkim shtetasi Xhuljano Dyrmishi, 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kane kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së shtetasit E. D.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.
Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin shqiptar E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasin maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”- njofton policia.
Më herët janë shpallur në kërkim, E.N 44 vjeç dhe marokeni M.D 46 vjeç të cilët dyshohen si autorë të ekzekutimit të të riut. Të tre të shpallurit në kërkim, janë jashtë vendit dhe vijojnë përpjekjet e policisë për kapjen e tyre. Versus.al







