
I gjithë vendi u trondit ditën e djeshme pasi gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua brenda sallës së gjykatës së Apelit në Tiranë. Autori, Elvis Shkambi 30 vjeç, me të dëgjuar vendimin e tij që binte ndesh me interesat e familjarit të tij, xhaxhait Gjon Shkambi, nxorri pistoletën tip “Berreta” dhe e qëlloi tre herë në gjoks duke i shkaktuar vdekjen.
Të plagosur mbetën edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pjesë e palës kundërshtare në këtë proces që kishte nisur në gjykatën e Shkodrës për një pronë të cilën Gjon Shkambi pretendonte se ia kishte lënë trashëgimi i ati pavarësisht se aty ishin ndërtuar godina për strehimin e disa familjeve të tjera.
Ngjarja e paprecedentë shkaktoi tronditje të madhe duke bërë që institucionet e vendit të reagonin me forcë duke kërkuar marrjen e masave që tragjedi të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Mësohet se si pasojë e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, sot në Gjykatën e Apelit do të pezullohen të gjitha gjyqet. Do të hidhet shorti për 12 masa sigurie të cilat pritej t’i jepte të gjitha gjyqtari që u vra brenda sallës së gjyqit.
Kalaja ishte pjesë e trupës gjykuese së bashku me Gilda Hoxhën dhe Enkelejda Bajon. Pasi ishte dhënë vendimi i djeshëm, dy gjyqtaret kishin dalë nga salla e gjyqit, ndërsa viktima Kalaja po mblidhte dosjen menjëherë pasi kishte vulosur qëndrimin final. Këtë e konfirmon në dëshminë e saj edhe sekretarja që ishte e pranishme. Versus.al







