MAGAZINË /

Birkin simbol i përjetshëm i luksit, si lindi aksidentalisht çanta më e famshme në Botë?!

Jashtëzakonisht e shtrenjtë, pothuajse e pamundur për t’u siguruar dhe menjëherë e dallueshme – këto janë vetëm disa nga arsyet pse çanta Birkin ka pasur gjithmonë statusin e një simboli prestigji.

Shkruar nga Versus
Birkin simbol i përjetshëm i luksit, si lindi aksidentalisht
Çanta e shitur me çmimin marramëndës në ankand/ Jane Birkin

Jashtëzakonisht e shtrenjtë, pothuajse e pamundur për t’u siguruar dhe menjëherë e dallueshme – këto janë vetëm disa nga arsyet pse çanta Birkin ka pasur gjithmonë statusin e një simboli prestigji.

Ajo lindi krejt rastësisht: gjatë një fluturimi nga Parisi për në Londër, këngëtarja Jane Birkin i rrëzoi të gjitha sendet nga çanta e saj dhe iu ankua atëherë drejtuesit të shtëpisë luksoze Hermès, Jean-Louis Dumas, i cili ishte ulur pranë saj, duke i thënë se pse nuk prodhonin çanta më të mëdha dhe më praktike.

Menjëherë pas kësaj ideje për një çantë më funksionale, por po aq tërheqëse, u krijua skica e modelit të ri një çantë lëkure të zezë e përshtatur posaçërisht për nevojat e vetë Jane Birkin.

Pasi u prodhua çanta për këngëtaren dhe aktoren anglo-franceze, Hermès nisi prodhimin e saj komercial, dhe Birkin Bag mbetet edhe sot një nga simbolet më prestigjioze të statusit në botën e modës.

Disa modele kushtojnë dhjetëra mijëra dollarë, ndërsa listat e pritjes zgjasin me vite. Ndër pronaret e këtij aksesorë ikonik janë emra si Kate Moss, Victoria Beckham dhe Jennifer Lopez.

Birkin simbol i përjetshëm i luksit, si lindi aksidentalisht
Jennifer Lopez me Birkin

Çanta origjinale Birkin, që vendosi standardin për ndoshta aksesorin më të dëshiruar në historinë e modës, u krijua në vitin 1985 dhe kishte disa veçori unike: inicialet e Jane Birkin në kapak, një rrip i gjatë dhe gjurmët e ngjitësve të organizatave humanitare që ajo mbështeste, si Médecins du Monde dhe UNICEF.

Çanta më e famshme në histori u shit për një shumë rekord

Përveç ndikimit të saj në modë dhe humanizëm, Jane Birkin ishte një artiste e vërtetë boheme dhe një yll skandaloz i kohës së saj.

Sipas biografisë së re të Marisa Meltzer, “It Girl: The Life and Legacy of Jane Birkin”, Vatikani e kishte dënuar për muzikën e saj provokuese, dhe reputacioni i saj u përkeqësua edhe më shumë pasi ajo kishte tre fëmijë me tre burra të ndryshëm dhe dilte shpesh natën vonë me fustanet e saj të shkurtra të famshme  ndonjëherë edhe me foshnjën në krah, shkruan New York Post.

E lindur në një familje të njohur artistësh në Londër, Birkin ishte një adoleshente rebele që disa herë kishte tentuar të arratisej nga shtëpia.

Atë e tallnin për trupin e dobët dhe gjoksin e sheshtë. Në moshën 16-vjeçare, prindërit e dërguan për gjashtë muaj në Paris – dhe ajo u kthye krejt ndryshe: me flokë të shkurtuar me balluke, funde mini dhe e zhytur në lëvizjen rinore britanike të viteve ’60.

Në moshën 17-vjeçare, hyri rastësisht në një teatër të gabuar dhe mori rolin e saj të parë si aktore. Në moshën 18-vjeçare luajti në muzikalin Passion Flower Hotel dhe u martua me autorin e këngëve John Barry, ndonëse ai ishte 30 vjeç dhe dy fëmijë nga një martesë e mëparshme. Në dasmë veshi një fustan mini të bardhë me grep, por martesa e tyre shpejt u ftoh.

Birkin simbol i përjetshëm i luksit, si lindi aksidentalisht
Jane në filmin 1975

Deri në moshën 21-vjeçare ajo ishte tashmë e divorcuar dhe në gjendje të vështirë financiare aq sa nuk kishte para për pelena për vajzën e saj, Kate Barry.

Më pas shkoi në Paris, ku njohu Serge Gainsbourg, një 40-vjeçar playboy që sapo ishte ndarë nga Brigitte Bardot.

Lidhja e tyre e zjarrtë dhe plot pasion zgjati 13 vjet.

Së bashku, në vitin 1969, ata regjistruan këngën provokuese “Je t’aime… moi non plus”, ku Birkin pëshpëriste dhe rënkonte me erotizëm.

Kënga shkaktoi një skandal – BBC e ndaloi, Vatikani e dënoi, dhe botuesi italian përfundoi në burg për publikimin e saj.

Birkin dhe Gainsbourg jetuan një jetë boheme, i çonin fëmijët në klube nate dhe sfidonin normat tradicionale.

Nga kjo lidhje ajo pati vajzën Charlotte Gainsbourg. Edhe pse e adhuronte Serge-n, alkooli dhe xhelozia e tij e bënë posesiv dhe agresiv. Në fund ajo e la për regjisorin Jacques Doillon, me të cilin pati fëmijën e tretë, Lou Doillon.

Me kalimin e viteve, Birkin donte të çlirohej nga imazhi i vajzës së ëmbël. Para turneut të saj të parë solo në vitin 1988, ajo vetë i preu flokët shkurt dhe doli në skenë me pantallona mashkullore dhe kanotiere të bardhë – duke krijuar një stil të ri legjendar.

Birkin simbol i përjetshëm i luksit, si lindi aksidentalisht

Çantën e saj origjinale Birkin e dhuroi në vitin 1994 në një ankand për luftën kundër AIDS-it. Ajo ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare, pas disa vitesh problemesh shëndetësore dhe humbjes së vajzës së saj më të madhe, Kate, në vitin 2013.

Në korrik të këtij viti, çanta e saj origjinale u ofrua sërish në ankand dhe u shit për 8.6 milionë euro, duke u bërë çanta më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand.

Autorja Meltzer përfundon se trashëgimia e Jane Birkin është shumë më e madhe se çanta që mban emrin e saj:

“Ajo ishte një vizionare që ndryshoi botën përreth vetes, duke formësuar frymën e kohës me artin dhe personalitetin e saj të papërsëritshëm.”/Versus.al

Poll