POLITIKË /

Berisha nga Kongresi i PPE: Rama ka në zyrë një koordinator për bandat kriminale, Shqipëria, i vetmi narkoshtet në Europë

Ai shtoi se kryeministri Rama, përmes një industrie të blerjes së votës dhe frikësimit të qytetarëve, ka shndërruar proceset zgjedhore në një fasadë, duke kontrolluar ekonominë, median dhe institucionet.

Shkruar nga Versus

Berisha nga Kongresi i PPE: Rama ka në zyrë një koordinator  

Në një fjalim të fortë gjatë Kongresit të Partisë Popullore Europiane (PPE), lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar Shqipërinë si “narkoshtetin e vetëm në Europë”, ku – sipas tij – pushteti është i kapur nga një regjim autokratik me lidhje të drejtpërdrejta me krimin e organizuar.

Duke falënderuar PPE-në dhe drejtuesit ndërkombëtarë të qendrës së djathtë për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe kauzës opozitare në Shqipëri, Berisha denoncoi me tone të rënda atë që e cilësoi si "makineri mafioze elektorale" të ndërtuar nga Rama.

“Në zyrën e kryeministrit ndodhet një këshilltar i posaçëm për koordinimin e bandave kriminale, nga kartelat e Sinaloas deri te grupet brenda territorit shqiptar,” deklaroi Berisha përpara drejtuesve të PPE-së.
Ai shtoi se kryeministri Rama, përmes një industrie të blerjes së votës dhe frikësimit të qytetarëve, ka shndërruar proceset zgjedhore në një fasadë, duke kontrolluar ekonominë, median dhe institucionet.

“Shqipëria sot është një narkodiktaturë e mirëfilltë. Vetëm këtë vit, tre liderë të opozitës janë arrestuar pa asnjë provë, vetëm sepse janë kundërshtarë politikë. Janë marrë mandate deputetësh dhe janë rrëzuar kryebashkiakë opozitarë, si në rastin flagrant të Fredi Belerit,” theksoi Berisha.

Berisha nga Kongresi i PPE: Rama ka në zyrë një koordinator
Në fjalën e tij, ai rikujtoi edhe skandalin e përfshirjes së ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, të cilit – sipas tij – i janë dhënë qindra mijëra dollarë nga qeveria shqiptare për të goditur opozitën, duke e konsideruar këtë një dëshmi të bashkëpunimit kriminal ndërkombëtar.

Berisha denoncoi gjithashtu mbylljen e debateve televizive, shpërndarjen e parave publike për vota dhe lejimin e kultivimit të kanabisit në prag të zgjedhjeve si pjesë e asaj që e quajti “strategji elektorale e krimit dhe drogës”.

“Në një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, mbyllen rrjetet sociale si TikTok, shtypen liritë, shantazhohen qytetarët dhe përdoret varfëria për të blerë votën,” u shpreh ai.

I vendosur, Berisha përmbylli fjalën me një mesazh sfidues:

Në diktaturë nuk të mbetet rrugë tjetër përveçse të luftosh. Me ndihmën tuaj, Partia Demokratike do të përmbysë narkodiktaturën e parë në historinë e Europës moderne.”

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri po afrojnë mes një klime tensioni politik, ndërkohë që vëzhguesit ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për rëndësinë e integritetit dhe transparencës së procesit zgjedhor. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: