Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë prezantimin e kandidatëve të aleancës së tij “Shqipëria Madhështore” në Kashar. Duke folur për familjen shqiptare dhe peshën e rëndësishme që zë në programin e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se fushata e Ramës është vulgare, pasi sipas tij dëshiron të zbehë rolet e anëtarëve të familjes.
Ai tha se familjes shqiptare i duhet mbështetje ekonomike për pensionistët që mund të kenë në shtëpi, arsimin e fëmijëve të tyre me qëllim që këta të fundit mos të largohen nga Shqipëria.
“Ne jemi parti e traditave më të mira, partitë konservatore nuk janë parti ideologjike, por janë parti të vlerave themelore të njerëzimit. Në këtë kontekst, në kombin tonë, themeli i gjithë themeleve është familja. Ndaj e ne vijmë para jush me një projekt me të cilin zotohemi se familja shqiptare, do të jetë në epiqendër të përpjekjes tonë për ta mbështetur atë. Një komb i fortë mund të jetë vetëm kur ka familjen e fortë. Familja është e fortë kur ka moralin e fortë. Unë nuk jam gjykatës morali, por disa vlera janë të përbashkëta. Besoj se respekti është reciprok, burri ndaj gruas, gruas ndaj burrit, respekti i anëtarëve të familjes ndaj njëri tjetrit, janë vlerat më të larta. Kam besim të lartë që asnjë grua, nuk pranon e nuk do donte ti shahet djali, bashkëshorti, prindi. Pra, kjo fushatë vulgare e Edi Ramës që kërkon të zhvlerësojë familjen e vlerat e saj, ka një qëllim. Jo vetëm tregon konceptet që ka ai për familjen, por ka qëllim të spostojë vëmendjen tuaj nga problemet e vërteta të familjes shqiptare. Nga problemet që familja shqiptare kërkon nga partitë politike të zgjidhen. Familja shqiptare nuk ka nevojë të dëgjojë se burri qenka kështu apo ashtu, ajo ka nevojë të mbështetet ekonomikisht, për pensionistin që ka të marrë 200 euro minimumin. Ka nevojë që vajza e djali të mos marrin rrugët e dheut, se sofra nuk i mban më. Por përkundrazi të shkollohen, të punësohen, të ndihmohen për strehimin, të ndërtojnë në vendin e tyre ëndrrën e tyre rinore. Do bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaj”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek arsimi e punësimi, Berisha premtoi se nëse vjen ai në qeveri, çdo i ri i cili punësohet, do të jetë shteti që do i paguajë siguracionet, duke lehtësuar kështu edhe bizneset.“Pas studimeve çdo i ri, çdo e re, do mbështetet për punësimin. Qeveria do i paguajë siguracionet një vit për çdo të ri e të re që punësohen”, tha Berisha.
Një premtim i fortë vjen për strehimin, sidomos të çifteve të reja. Kryedemokrati tha se çdo familje e cila bëhet me 3 fëmijë, kredia do të paguhet plotësisht nga qeveria.
“Një çati për çift do të thotë se, qeveria do t’i mbulojë të rinjve me një grant prej 30 mijë eurosh, të gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive. Ata të cilët do të bëhen me 3 fëmijë, kredinë do ta kenë të paguar tërësisht nga qeveria”, tha Berisha.








