Erion Veliaj kësaj radhe ka dhënë një intervistë nga qelia për Euronews Albania. Nga qelia, kryebashkiaku i është përgjigjur pyetjeve të emisionit “Review''.
Gjatë intervistës, Veliaj vuri në pah mbështetjen që ka nga ana e Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ata po veprojnë si duhet dhe se ka besim të plotë në drejtuesin e qeverisë.
Veliaj zbuloi gjithashtu se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin Rama, pasi Ols Dado, ia ka ndaluar këtë komunikim.
Sidoqoftë, ai shprehu qartë qëndrimin e tij për zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se do të votojë për Partinë Soacialiste dhe Edi Ramën dhe se është i gatshëm të luftojë dhe të bëjë fushatë kudo ku është e nevojshme.
Pjesë nga intervista:
-Çfarë do t’i shtonit apo do t’i hiqnit atyre që ka shprehur Kryeministri për këtë rast?
Veliaj: Kam një jetë që punoj krah Edit dhe kam besim të plotë.
-Drejtues qarku për shumë vite, kryetar bashkie i zgjedhur 3 herë, figura më e rëndësishme e Partisë Socialiste në Tiranë; duke ditur punën dhe duke njohur mirë partinë, çfarë do të ndodhë në Tiranë në 11 maj dhe si do të ndikojë mungesa juaj?
Veliaj: Në 11 Maj Partia Socialiste do të fitojë bindshëm. Puna në Tiranë flet vetë: pyesni prindërit, që çojnë fëmijët në 45 shkolla të reja moderne, pyesni nënat që çojnë fëmijët në 110 kopshte dhe çerdhe europiane. Pyesni pensionistët dhe studentët që udhëtojnë falas me autobus.Kush më do vërtet dhe është trishtuar nga kjo padrejtësi, duhet të votojë Edin dhe PS, si e vetmja forcë që di dhe do drejtësinë, di ta krijojë sistemin modern, por edhe ta korrektojë kur del nga shinat.
-Për kë do të votojnë mbështetësit tuaj? A do kontribojnë ata njësoj në zgjedhje fushate, si të ishit ju në kushte normale?
Veliaj: Unë vetë do votoj PS dhe Edin e do bëj fushatë kudo që të jem. Tirana është sot një qytet europian i transformuar si asnjë tjetër. Kush mbështeti Edin në vitet 2000-2011 dhe mua në 2015-2025, mbështet këtë vizion dhe padyshim do punojë për PS më shumë se kurrë më parë, për të plotësuar edhe mungesën time.
-Çfarë do t’ju thonit socialistëve, 42% e të cilëve mendojnë se arrestimi juaj do të ketë efekt negativ në rezultatet e PS në zgjedhje?
Veliaj: Socialistëve do ju thoja “kokën lart e të jeni krenarë për punën tonë”! Pafajësinë time do ta provoj për vete, por edhe për të gjithë ata që zelli i ndërhyrjes brutalisht në fushatë iu ka dhënë iluzionin e fitores pa meritë! Ndaj, kurajo dhe përvishni mëngët për Edin dhe PS në fushatën më të bukur që kemi bërë ndonjëherë!
-A keni komunikim me kryetarin e partisë tuaj, z. Rama?
Veliaj: Jo, jam në izolim total. Ols hakmarrësi nuk ka miratuar prej dy javësh asnjë takim – as politikanë të huaj, drejtues të kulteve apo shokë e miq. Kjo është një tjetër provë se ky kurth i kurdisur keq, me anonime, veting, shpallje fajtor pa akuzë dhe izolim total është një njollë jo e vogël e një reforme, që e mbështetën të gjithë./Versus.al








