
Tiranë- Policia ka shpallur në kërkim Ferhat Kajën, 31 vjeç, për sherrin e ndodhur mbrëmjen e 21 korrikut në rrugën e Kavajës pranë kompleksit “Delijorgji”.
Ditën e djeshme u publikua video ku shihej teksa Ferhat Kaja së bashku me të afërmin e tij O.K 30 vjeç dhunonin me grushte dhe sende të forta Laert Kasajn, pronarin e lokalit “Tokyo” dhe të afërmin e tij E.K.
Kaja i cili rezulton të jetë pronari i lokalit tjetër “Stokholm” dyshohet se e ka dhunuar Kasajn pasi dyshonte se ky i fundit kishte “spiunuar” tek kryeministri Edi Rama me foto ku dukej zaptimi i hapësirës publike nga lokali i tij. Në këto kushte, duket se Ferhat Kaja dhe i riu tjetër që gjithashtu është shpallur në kërkim, ka vendosur të hakmerret duke e dhunuar pronarin e lokalit “Tokyo”.
Pamjet shqetësuese ngjallën panik tek qytetarët që kalonin dhe dëshmonin dhunën brutale të ardhur si pasojë e aksionit për lirimin e hapësirave publike nga zaptimi që i bëjnë biznesmenë të ndryshëm si rasti në fjalë. Versus.al







