
Gjykata e Posaçme ka shpallur sot vendimet për të pandehurit në aferën e njohur si “5D”, që përfshin disa ish-zyrtarë dhe punonjës të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera dhe procedura publike.
Deborah Keçi, u dënua me 1 vit burg për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 muaj, por nuk do ta vuajë në qeli: Gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe vendosjen nën shërbim prove për 16 muaj, si dhe pezullim të të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Për të njëjtën akuzë, edhe tre zyrtarë të tjerë të Bashkisë u dënuan me masa të ngjashme:
Teuta Guri – 9 muaj burg, reduktuar në 6 muaj me gjykim të shkurtuar dhe 60 orë punë në interes publik.
Renaldo Gjerasi – 9 muaj burg, ulur në 6 muaj, gjithashtu me 60 orë punë publike.
Jetjon Mera – 9 muaj burg, ulur në 6 muaj me gjykim të shkurtuar dhe i detyruar të kryejë 60 orë punë në interes publik brenda 6 muajsh.
Këto vendime janë dhënë për 4 të pandehur nga një prej dy grupeve në total të të pandehurve për aferën 5D. Në këtë fraksion janë janë ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave, ndërsa në të parin ndodhen ish drejtorët e pandehur të bashkisë Tiranë.
Në njoftimin e SPAK të fund të marsit thuhej se Redi Molla për gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” dhe Mariglen Qato gjatë kohës që ushtronte funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera. SPAK ka prova se kjo shoqëri zotërohej nga 3 persona të cilët ishin ortakë fiktivë, ndërsa ortakët e vërtetë dhe pronarët “De facto” ishin Mariglen Qato dhe Redi Molla, të cilët kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore. SPAK deklaroi se kompania është shpallur fituese në këto tendera nga viti 2016 deri në 2020. Versus.al







