Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur një ditë më parë në zonën e “Ali Demit”, ku një 15-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri. Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 17:10 në ambientet e një picerisë dhe është qëlluar me armë nga 21-vjeçari, Aldi Neziri dhe shpallur në kërkim nga policia.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim administratorin e picerisë “Fantazia”, Leonardo Mejdani si dhe ka arrestuar 3 punonjësit e picerisë për moskallëzim krimi, Ferit Basha, Andi Hyka, Keivin Bala.
Sipas të dhënave paraprake, i mituri është plagosur në qafë dhe kraharor, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të qëndrueshme në spital. Ngjarja u zbardh pasi i mituri ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Zbardhen dhe dokumentohen rrethanat e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 21-vjeçar, i cili dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri atipike 15-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në një piceri.
Arrestohen 3 punonjës të picerisë dhe shpallet në kërkim administratori i saj, pasi nuk kanë kallëzuar për ngjarjen dhe kanë kryer veprime për të penguar zbardhjen e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-u shpall në kërkim L. M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-u arrestuan shtetasit F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme. Versus.al







