
Mes vizitorëve të shumtë të huaj në vendin tonë, ka qenë edhe Jacob Arabo, themeluesi i firmës së orave luksoze “Jacob& Co” i cili gjatë vizitës së tij ka takuar edhe kryeministrin Edi Rama.
Në rrjetin e tij social, Arabo ka publikuar dy foto me kryeministrin duke e shoqëruar me një shkrim ku e falenderon për mikpritjen, ndërsa lavdëron edhe energjinë që mori gjatë vizitës në Shqipëri. Por nuk ka dhënë detaje të tjera mbi arsyen e vizitës së tij në vendin tonë.
“Mirënjohës që pata mundësinë të takohesha me kryeministrin Edi Rama. Faleminderit për mikpritjen dhe për bisedën frymëzuese. Shqipëria, energjia dhe krenaria juaj janë të paharrueshme”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Jacob Arabo i njohur si “Jacob the Jeweler”, është një dizajner amerikan i bizhuterive dhe orëve luksoze, si dhe themelues i markës së njohur Jacob & Co.
Arabo u bë një figurë kyçe në industrinë e hip-hopit dhe modës, duke krijuar bizhuteri dhe orë për yje si Jay-Z, Rihanna, Madonna, Elton John, futbollistin Cristiano Ronaldo dhe shumë personazhe të tjerë.
Ora e tij “Five Time Zone”, e lançuar në vitin 2002, u bë një simbol i stilit luksoz dhe u vesh nga figura të njohura si Naomi Campbell dhe Bono. Versus.al







