Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Ujit, foli edhe për punësimet pa kriter nëpër shoqëritë e ndërmarrjeve për furnizimin me ujë. Sipas tij, drejtorët e ujësjellësve e kanë parë se shumë pak persona e bënin punën dhe se pjesa më e madhe e të punësuarve, ishin parazitë të cilët kanë hyrë pa meritë në vendin e punës, falë njohjeve me zyrtarë të caktuar.
“Një nga problemet themelore të furnizimit me ujë të shpërndarjes së ujit, është niveli i ulët i burimeve njerëzore të ndërmarrjeve. Drejtorët e shoqërive e kanë parë me sytë e tyre se me sa pak forca të përgatitura bëjnë punën dhe se sa forca parazite ka nëpër ndërmarrje që janë aty si rezultat i krushqisë, i politikës, i fqinjësisë së mirë në rrugën e fshatit. Operatori Kombëtar do ketë kapacitetin të jetë i distancuar nga kjo, siç u distancua nga politika, OSHEE. Nuk bën vaki që drejtuesit e OSHEE ti vendosë partia, të lëvizin lartë e poshtë se do partia, është epokë e mbyllur. OSHEE është një ndërmarrje që funksionon me rregullat e një korporate që ka rezultate”- deklaroi kryeministri mes të tjerash. Versus.al







