
Dashnor Dumani, vëllai i vrasësit me pagesë Nuredin Dumani, do të ekstradohet sot nga Dubai ku ishte arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.
Së bashku me Dumanin, ekstradohet sot nga Dubai edhe Armis Stafa i cili dyshohet si anëtar i grupit kriminal të vëllezërve Çopja në Elbasan
“Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
-D. D., i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë;
-A. S., i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan”- thuhet në njoftim.
Dashnor Dumani akuzohet si i përfshirë në masakrën e Bradasheshit në dhjetor të 2018-ës ku u vranë Endrit Alibej, daja i tij Arben Dylgjeri si edhe turku Erdal Durunay.
Ndërsa Stafa dyshohet se pastronte paratë e grupit kriminal Çopja nëpërmjet veprimtarisë së tregtimit të makinave. Versus.al







