
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka folur në seancë, duke denoncuar se është ende në pritje të një vendimi të mëparshëm të ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, që sipas tij konfirmon pafajësinë e tij mbi të njëjtat çështje për të cilat po hetohet sot. Sipas Beqajt, ky vendim ekziston në arkiv dhe është dorëzuar më herët në Kuvend përmes një Komisioni Hetimor parlamentar, por SPAK ka refuzuar t’ia dorëzojë, ndonëse ai e ka kërkuar plot pesë herë.
“Kam siguruar vetë në Kuvend vendimin që e kishte Komisioni Hetimor. Ai vendim thotë pafajësi sipas parimit të gjësë së gjykuar. Pse nuk ma japin?!” – shprehet Beqaj.
Nga deklaratat e tij në seancë, duket se procesi penal ndaj tij po zhvillohet në kushte kaotike dhe paqartësi të rënda në formulimin e akuzës, gjë që e bën sipas tij të pamundur një mbrojtje të drejtë.
Avokati i tij, Ermal Yzeiraj, ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin e prokurorisë, duke thënë se vetë gjyqtari paraprak ka cituar nenin 334 të Kodit Penal, i cili lidhet me armëmbajtjen pa leje, një vepër që s’ka asnjë lidhje me rastin.
“Këtë saktësim duhet ta kishte bërë prokuroria. Deri më sot akuza nuk është saktësuar. Me shkrim kemi ‘shpërdorim detyre’, me vendim kemi ‘vjedhje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’. Ne si mbrojtje jemi totalisht të paqartë,” – tha Yzeiraj.
Beqaj vetë shprehet se akuza fillestare ishte për shpërdorim detyre, por në vendime shfaqen terma si vjedhje, mashtrim dhe grup i strukturuar, pa ndonjë sqarim zyrtar.
“Pika e parë deri në fund flet për shpërdorim detyre. Fjala ‘vjedhje’ nuk është në asnjë vend. Nuk ka as shifër, vetëm fjalë të hedhura si ‘mashtrim’. Prokurori s’e ka thënë kurrë këtë në seancë – vetëm ‘pranoj’. Ku është saktësimi i akuzës? Ku janë provat që thoni se i qëndroni?” – tha Beqaj.
Në përfundim të fjalës së tij, Beqaj lëshoi një mesazh të fortë:
“Jeta jonë është sekonda, prokuror! Jemi kthyer në autoshkollë me këtë proces. Është e pamundur të bësh një mbrojtje efektive kur s’ka akuzë të qartë. Në këtë rast, s’kemi proces, kemi farsë.”- thotë Beqaj
Ky reagim i radhës nga Beqaj vjen ndërsa ai ndodhet në qeli, i hetuar për abuzime me fondet publike përmes programit të sterilizimit në sistemin shëndetësor. Ai reagoi edhe një javë më parë duke kërkuar pafajësinë. Ish-ministri ka qenë më herët në arrest shtëpie, ndërsa tashmë ndodhet në masë më të rëndë sigurie. Versus.al







