AKTUALITET /

Tentativa e vetëvrasjes së policit që arrestoi djalin e Samir Manes, pikëpyetjet e deklaratës së AMP dhe ‘përgjigjet pa përgjigje’

Shkruar nga Versus
Tentativa e vetëvrasjes së policit që arrestoi djalin e Samir
Biznesmeni Samir Mane dhe djali i tij Martin Mane

Janë dashur tre ditë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tiranë më 15 maj ku polici Azbiu Spahiu tentoi të vetëvritej, që AMP të dilte me një reagim për rastin, por sërish duke mos dhënë asnjë shpjegim të qartë.

Në njoftim thuhet se efektivi i karrierës, Spahiu, nuk ka pasur asnjë pretendim për presion psikologjik pas arrestimit të Martin Manes, djalit të biznesmenit Samir Mane. Por në njoftim nuk sqarohet nëse janë kryer veprime hetimore lidhur me arrestimin e Martin Manes, i cili u konsiderua i paligjshëm nga prokuroria dhe i riu u lirua vetëm pas disa orësh qëndrimi në komisariat.

Nuk ka asnjë shpjegim nëse ka nisur hetim ndaj efektivit Spahiu për ekspertim të rremë të vendngjarjes, ku Martin Mane ishte ndaluar pasi kishte përplasur 2 mjete të parkuara dhe nuk pranoi të bënte testin e alkoolit.

Sqarimi i AMP ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigjie, pasi nuk thuhet në asnjë pjesë të reagimit nëse për këtë rast strukturat kanë ngritur apo kanë kërkuar një hetim. Po ashtu AMP nuk ka dhënë përgjigje as nëse janë marrë në mbikëqyrje kamerat e sigurisë së pallatit në ndërtim prej nga u hodh 57 vjeçari apo nëse këtij të fundit i është marrë në ekspertizë telefoni celular, për të hedhur dritë ndaj së vërtetës.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore respekton burokracitë në njoftimin duke cituar procedurat administrative por nuk respekton të drejtën e informimit, duke dhënë veçse një informacion gjysmak. Ky institucion refuzon të përgjigjet nëse e ka marrë në pyetje Azbi Spahiun disa orë përpara se të vetëvritej, por thotë se Oficericë i Policisë Gjyqësore nuk ka asnjë pretendim?

E sot po në të njëjtën ditë, në sinkron të plotë me këtë strukturë policore, reagon dhe Ervin Hoxha, pas shumë ditësh heshtje, këtë të shtunë vendosi të flasë. Ndonëse deri më sot nuk i ka uruar shërim të shpejtë një prej punonjësve më të vjetër në Policinë e Tiranës.

Reagimi i tij përcjell vetëm mllefin e një Ministri, bashkë me frikën kundrejt protestave të Shoqërisë Civile, të paralajmëruara në kërkim të zbardhjes së kësaj ngjarje të rëndë.

Institucionet kryesore kanë heshtur deri më tani, madje edhe partitë e vjetra opozitare duke ngritur pikëpyetjen nëse një ngjarje e tillë duhet hetuar nga SPAK. Versus.al

Poll