Pavarësisht se nga ky rinumërim më shumë pritshmëri kishte Partia Demokratike për t’i ‘marrë’ mandatin partisë “Mundësia” të Agron Shehajt, në fakt rezultoi krejt e kundërta. PD mban rekordin e votave të pamerituara krahasuar me numërimin e parë. Konkretisht, 612 vota të padrejta do t’i hiqen PD-së nga rezultati final në fund të këtij rinumërimi, shifër që edhe mund të thellohet duke parë numrin e kutive që janë për t’u rinumëruar.

Vendin e dytë për votat e padrejta e mban PS me 381 të tilla, ndërsa e treta vjen Lëvizja Bashkë me 57 vota tepër. Nisma Shqipëria Bëhet dhe partia “Mundësia” vijnë në vendin e katërt me 44 vota më shumë në procesverbal sesa në kuti.
Partitë politike të cilave u janë hequr vota padrejtësisht nga numërimi deri tani janë “Koalicioni Euroatlantik” i Lulzim Bashës (-21 vota), koalicioni “Djathtas për Zhvillim” i kryesuar nga Dashamir Shehi (-8 vota) dhe partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (-7 vota).
Rinumërimi për kandidatët
Tek socialistët kandidatët me më shumë vota të padrejta kanë rezultuar ata më të votuarit. I pari renditet ministri i Brendshëm Ervin Hoxha me 288 vota të pamerituara. I dyti është Fatmir Xhafaj me 227 vota tepër. I treti është sërish një ministër, Blendi Gonxhja me 174 vota të pamerituara dhe i katërti vjen deputeti Erion Braçe me 166 vota të pamerituara.

Atyre të cilëve u janë hequr vota padrejtësisht rezultojnë deputetë që nuk kanë mundur të sigurojnë mandat për në legjislaturën e ardhshme. Plarent Ndrecës i janë hequr 71 vota padrejtësisht të cilat do t’i shtohen në rezultatin final pas rinumërimit dhe Etjen Xhafës i janë hequr 51 vota.
Tek PD me më së shumti vota të padrejta rezulton fituesja e mandatit në listën e hapur, Jorida Tabaku me 256 vota, e ndjekur nga i dyti më i votuari Ilir Alimehmeti me 136 vota i cili nuk arriti të bëhej deputet.

Mes atyre të ciëlve u janë hequr vota padrejtësisht janë kandidatët Lisandër Hoxha (-39 vota) dhe Ilda Zhulali (-30 vota). Rinumërimi deri më tani ka rezultuar një zhgënjim për Alimehmetin i cili kishte pretendime se i ishin tjetërsuar votat që kishte marrë nga qytetarët më 11 maj. Versus.al







